Zgjebja
Kur jetoni me shumë njerëz në një ndërtesë, ka mundësi që të ju ngjitet ndonjë sëmundje ngjitëse, siç është zgjebja.
Zgjebja?
Zgjebja është sëmundje ngjitëse e lëkurës që shkaktohet nga paraziti i zgjebes. Paraziti i zgjebes është aq i vogël sa nuk mund të shihet me sy.
Simptomat?
Simptomi më i rëndësishëm është kruarja, e cila paraqitet ndërmjet 2 deri në 6 javë pas infektimit. Kruarja është më e rëndë natën ose kur keni të nxehtë.
Si infektohemi?
Mund të infektoheni pas kontaktit intensiv fizik me dikë që e ka zgjeben. Këtu mund të përfshihet kujdesi fizik për trupin e një personi, kontakti seksual ose përdorimi i shtratit dhe rrobave të përbashkëta.
Ku shfaqen lezionet?
Paraziti i zgjebes preferon të vendoset ndërmjet gishtave, në pjesën e brendshme të kyçit të dorës, pjesën e jashtme të bërrylit, nën sqetulla, në vithe dhe kofshë, rreth kërthizës, në këmbë dhe organe gjenitale.
Si trajtohet zgjebja?
Zgjebja nuk shërohet vetë, por mund të mjekohet.
- Trajtimi përfshin përdorimin e një kremi kundër zgjebes në të gjithë trupin tuaj dhe marrjen e disa masave higjienike. Kremi është në dispozicion vetëm me recetë të mjekut.
- Zakonisht, 1 trajtim është i mjaftueshëm. Trajtimi përsëritet pas 1 jave në raste të rënda ose nëse ka dyshime se trajtimi nuk është kryer si duhet herën e parë.
Ndiqni masat e higjienës
Ndiqni këto masa higjienike para se ta vendosni kremin:
- Lani të gjitha rrobat e shtratit dhe të gjitha rrobat që i keni veshur në 3 ditët e fundit para se të trajtoheni në 60°C ose ujë më të nxehtë.
- Rrobat që nuk mund të lahen, lodrat e tekstilit, këpucët dhe pantoflat duhet të vendosen në qese plastike të mbyllura mirë. Mos i hapni qeset për 3 ditë dhe mbajini ato në temperaturë të dhomës.
- Ju gjithashtu mund t'i vendosni rrobat dhe këpucët në çanta të mbyllura në frigorifer me ngrirje të thellë për 12 orë, në -20°C.
Lyeni trupin me krem
- Prisni thonjtë dhe pastroni pjesën nën thonj.
- Hiqni stolitë dhe orën.
- Lyeni me krem të gjithë trupin tuaj, nga nofulla deri te thembrat e këmbëve. Mos harroni t’i lyeni nën thonjtë tuaj, palosjet e lëkurës dhe ndërmjet gishtërinjve të duarve dhe këmbëve.
- Për fëmijët e moshës 2 muaj deri në 2 vjeç, lyeni edhe kokën dhe fytyrën e tyre (por jo pjesën rreth gojës dhe syve nëse nuk ka lezione).
- Kërkoni nga dikush të jua lyejë shpinën.
- Lëreni kremin në trupin tuaj për 12 orë.
- Pasi t’i keni lyer me krem fëmijët, vendosini në duar çorape ose dorëza që të mos e fusin kremin në gojë.
- Vendosni prapë kremin në duar çdo herë pasi t’i keni larë.
- Vendosni kremin në pjesët gjenitale dhe palosjet e vitheve pasi të shkoni në tualet.
- Nëse jeni duke i ndihmuar dikujt ta vendosë kremin, t’i vendosë rrobat në çantë ose t’i ndërrojë rrobat e shtratit, vishni një përparëse me mëngë të gjata dhe dorëza për një përdorim.
Pasi e keni vendosur kremin
- Vishuni me rroba të pastra dhe ndërroni rrobat e shtratit.
- Bëni dush ose banjë pas 12 orësh dhe vishni përsëri rroba të pastra.
- Nëse filloni trajtimin në mbrëmje, ndërroni rrobat e shtratit në mëngjes përsëri.
Çfarë mund të bëni në lidhje me kruajtjen?
Në javën e parë pas trajtimit me krem, kruajtja mund të përkeqësohet për shkak të ndonjë reaksioni alergjik ndaj parazitit. Kruajtja mund të vazhdojë për 4 javë.
Një krem hidratues ose antipruritik mund ta lehtësojë. Nëse kruajtja vazhdon, lezionet përkeqësohen ose shfaqen lezione të reja, është më mirë të konsultoheni me mjekun tuaj. Mjeku juaj mund të vendosë ta përsërisë trajtimin.